Ministri Sveçla nënshkruan marrëveshjen për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera me Slloveninë

Prishtinë

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla së bashku me zëvendëskryeministrin dhe njëherësh ministrin e Mbrojtjes të Sllovenisë, z. Matej Toni  sot kanë nënshkruar marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Sllovenisë për bashkëpunim në mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera.

 

Marrëveshja rregullon kushtet kornizë për bashkëpunim në parandalimin e fatkeqësive dhe gatishmërinë për ofrimin vullnetar të ndihmës reciproke në rast fatkeqësish në territorin e palës tjetër, dhe forma të tjera të bashkëpunimit të ndërsjellë. Bashkëpunimi midis palëve do të ndjekë parimet e reciprocitetit dhe do të kryhet brenda kapaciteteve të palëve.

 

Me marrëveshjen e nënshkruar, bashkëpunimi mes dy vendeve do të zhvillohet në fusha të ndryshme. Përveç mbrojtjes nga fatkeqësitë dhe ndihmës për shpëtimin dhe lehtësimin e fatkeqësive, marrëveshja gjithashtu parashikon bashkëpunim në shkëmbimin e njohurive shkencore dhe teknike dhe transferimin e ekspertizës për mbrojtjen nga katastrofat, edukimin dhe trajnimin e personelit të përfshirë në aktivitetet e mbrojtjes dhe shpëtimit, zhvillimin dhe prodhimin e pajisjeve mbrojtëse dhe të shpëtimit. Të dy vendet gjithashtu do të bashkëpunojnë edhe në informimin e njëri -tjetrit në lidhje me rreziqet e aksidenteve dhe pasojat e tyre.

 

Pas marrëveshjes, ministri Sveçla i shoqëruar nga zëvendësministri  Gashani, ka zhvilluar një bisedë me ministrin Toni ku është diskutuar për rëndësinë e kësaj marrëveshje si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme ndërmjet dy shteteve.

 

Në fund, me ftesë të z. Toni, ministri Sveçla së bashku me zëvendësministrin Gashani morëm pjesë në ceremoninë e mbylljes së ushtrimit ndërkombëtar “Siquake 2021” që po zhvillohet në Lubjanë. Gjatë kësaj ceremonie, patën mundësinë të zhvillojnë bisedë edhe me Komisionerin Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič.