Ministri Sveçla priti në takim udhëheqësen e organizatës SEESAC

Prishtinë

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla ka pritur në takim, znj. Bojana Balon, udhëheqëse e SEESAC, Organizatë Ndërkombëtare në Evropën Juglindore dhe Lindore për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe Armëve të Lehta.

Qëllimi i takimit ishte vlerësimi i përgjithshëm i kapaciteteve të Policisë së Kosovës në luftën kundër zotërimit dhe trafikimit të paligjshëm të armëve, si dhe hapat e mëtejshëm për luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit, bazuar në vlerësimin për rritje të kapaciteteve, me qëllim të konfiskimit dhe asgjësimit të armëve të paligjshme në Kosovë.

Znj. Balon theksoi se në shumë fusha Policia e Kosovës është duke u përdorur si shembull për vendet tjera, sikurse me rastin e Pikës Fokale të Armëve (FFP) e cila po replikohet dhe në vendet tjera.

Me këtë rast, ministri Sveçla vuri në pah gatishmërinë e tij dhe të institucioneve të Kosovës, për vazhdimin e më tej të zbatimit të Udhërrëfyesit për një zgjidhje të qëndrueshme për zotërimin e paligjshëm, keqpërdorimin dhe trafikimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (AVL) armëve të zjarrit dhe municioneve të tyre në Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa Bojana Balon, udhëheqëse e SEESAC theksoi gatishmërinë e organizatës së saj për mbështetje të mëtejme të institucioneve të Kosovës, në këtë proces shumë të rëndësishëm të luftimit dhe trafikimit të paligjshëm të armëve.



Skedarët për shkarkim